8 MARS: E DREJTA E JETËS SË VAJZAVE DHE GRAVE NË SHQIPËRI MBETET E RREZIKUAR!

“Armët nuk vrasin njerëz, njerëzit vrasin njerëz!“ – Ariela Murati, 22 vjeçe, e vrarë në Janar 2018, pranë Fakultetit të Mjekësisë, Tiranë

Tiranë, 8 Mars 2022 – Sot është dita të cilën shoqëria në nivel kombëtar dhe global ia dedikon grave e vajzave dhe ndërgjegjësimit për të drejtat e tyre! Sot është Dita Ndërkombëtare e Grave! Kudo në botë, të gjitha shtetet bëjnë bilancet e arritjeve dhe situatës në të cilën gjenden gratë dhe vajzat.

Në Shqipëri, situata jo vetëm që nuk është përmirësuar, por po përkeqësohet.   

Të dhënat më të fundit tregojnë se:

  • 88.8% e grave dhe vajzave në Shqipëri kanë përjetuar dhunë;
  • Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë për vrasjen e vajzave e grave;
  • Mbi 150 gra dhe vajza janë vrarë në Shqipëri nga bashkëshortët apo të afërm të tyre;
  • 64.6% e kanë përjetuar dhunën në familje ose nga partneri;
  • Të paktën 8000 gra dhe vajza denoncojnë çdo vit në polici dhunë në marrëdhëniet familjare apo ato afektive me partnerët e tyre;
  • 90 përqind e krimeve seksuale kryhen ndaj fëmijëve-vajza;
  • 70 % e fëmijëve-vajza përndiqen nga gjuha e urrejtjes online.

Raporti më i fundit “Studimi global për vrasjet e lidhura me gjininë për gratë dhe vajzat”, publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën (UNODC), e rendit Shqipërinë ndër vendet me normën më të lartë të vrasjeve, me 0.7 vrasje për 100.000 gra krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.

Vajzat dhe gratë në Shqipëri përbëjnë thuajse gjysmën e popullsisë me rreth 1,431,714 gra e vajza (INSTAT). Dhuna në familje vazhdon të jetë e përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë. Sipas INSTAT dhe UNDP, mbi 53% e tyre, ose rreth 750 mijë gra dhe vajza në Shqipëri, deklarojnë se kanë qenë të paktën një herë në jetën e tyre viktima të dhunës në familje.Përmasat e dhunës në familje janë edhe më të mëdha pasi pjesa më e madhe e rasteve nuk denoncohen, për shkak sepse viktimat e shohin dhunën në familje si një ҫështje private.

CRCA/ECPAT Shqipëri, gjithmonë ka ngritur zërin e saj në ndihmë të vajzave të dhunuara dhe në ndihmë të atyre që nuk gjejnë drejtësi apo edhe asnjë ndihmë nga shteti. Ne gjithmonë i kemi qëndruar pranë viktimave të dhunës, duke rritur edhe presionin ndaj institucioneve qeveritare për të ndërtuar politika dhe mekanizma në ndihmë të vajzave dhe grave të dhunuara, shfrytëzuara apo të trafikuara.

Sot më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Grave, CRCA/ECPAT Shqipëri, sërish kërkon me forcë dhe me urgjencë nga Qeveria shqiptare dhe ligjvënësit e saj: Ktheni seriozisht vëmendjen në ndihmë të vajzave dhe grave të mbijetuara të dhunës!  

Pabarazia burrë-grua, dhuna dhe ngacmimet seksuale në vendin e punës, pasiguria publike dhe mungesa e respektit për integritetin trupor të çdo vajze dhe gruaje, dhuna në familje, papunësia, braktisja e shkollës, paragjykimet shoqërore, modelet e gabuara gjinore, diskriminimi, dhe mungesa e barasizë në përfaqësimin politik, janë disa nga problemet më madhore me të cilat përballet çdo vajzë dhe grua në jetën e saj!

8 Marsi, e shpallur si Dita ndërkombëtare e Gruasqë në vitin 1910, është dita që përkujton përpjekjet që kanë bërë të gjitha gratë për të patur të drejta të barabarta në familje, në punë, shoqëri e politikë.

 

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri

Cel: +355675002020

E-mail: crca@crca.al

 

Kontakti me Mediat:

Albana Mustafaraj

E-mail: albana.mustafaraj@crca.al

Na Kontaktoni

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL