Tiranë, 27 Nëntor 2018 – Mbyllet procesi i përzgjedhjes së të rinjve e të rejave që morën pjesë në aplikimet për Vlerësimin Kombëtar “Të Rinjtë e Vitit 2018’’.
Nisma “Të Rinjtë e Vitit”, e cila iniciohet për të katërtin vit rradhazi në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë (8 Dhjetor), synon të identifikojë dhe vlerësojë publikisht të rinj e të reja të moshës 15-29 vjeç nga e gjithë Shqipëria, që japin kontribut dhe sjellin ndryshime në jetën e të rinjve dhe grupeve të tjera shoqërore.
12 të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria u përzgjodhën si finalistët e kësaj gare, të cilët përgjatë vitit 2018 kanë sjellë një ndryshim të matshëm në shoqërinë dhe komunitetet ku ata jetojnë, në shkollat dhe universitetet ku ata studiojnë apo vendin e tyre të punës. Ata janë të rinj që kanë frymëzuar me vullnetarizmin e tyre të rinjtë e tjerë; të rinj, nismat e të cilëve, kanë fuqizuar rininë dhekomunitetet ku ata jetojnë, sidomos ato më të margjinalizuara; të rinj që kanë nxitur krijimin e lëvizjeve lokale apo kombëtare për mbrojtjen e mjedisit, kafshëve, fëmijëve dhe të rinjve.
Të rinjtë e të rejat nga mbarë vendi aplikuan në kategoritë kryesore të vlerësimit: I riu / e reja e Vitit 2018 për avokimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; I riu / e reja e Vitit 2018 për nxitjen e pjesmarrjes në vendim-marrje / vullnetarizmit të të rinjve; I riu / e reja e Vitit 2018 për krijimin e modeleve apo shërbimeve Rinore.
Ndërkohë që prej ditës së sotme, një Juri e përbërë nga 9 anëtarë me figura të njohura, prej tyre akademikë, deputetë, shoqëri civile, do të vlerësojë kandidaturat e 12 të rinjve e të rejave finalistë, ndërmjet të cilëve do të zgjidhen edhe tre të rinjtë/rejat fitues.
Të 12 të rinjtë e të rejat finalistë, në datën 7 Dhjetor do të ftohen në Forumin Kombëtar: Migrimi, Arsimi dhe Puna me dinjitet e të rinjve në Shqipëri, ku do të prezantohen përpara të ftuarve specialë nga Kuvendi, Qeveria Shqiptare, institucionet publike, organizatat joqeveritare, partitë politike, ambasadat dhe partnerët tanë.