Tiranë, 19 Korrik 2018 – Pavarësisht se ka mbi 20 vjet që CRCA Shqipëri dhe organizatat rinore kanë kërkuar jo pak herë që Shqipëria të ketë ligjin e saj për rininë, vetëm sot Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, morri përsipër që të bëhet pjesë e procesit. Ndonëse detajet jane tepër të paqarta në lidhje me këtë mbështetje dhe pjesmarrje në këtë proces nga ana e ministrisë, nëse çdo gjë shkon siç duhet, Shqipëria së shpejti mund të këtë në së fundi një ligj për rininë.
Në vitin 1998, për herë të parë lëvizja rinore në Shqipëri kërkoi nga ministria e sapo krijuar e Rinisë që të përgatiste një ligj për mbështetjen e rinisë në vend. Ndonëse ekspertët punuan për të përgatitur një draft ai asnjëherë nuk u zyrtarizua edhe për shkak të situatës politike në atë kohë. Kërkesa u ripërsërit nga CRCA në vitet në vijim, por Qeveritë shqiptare nuk e panë rininë si prioritet në këto vite deri në fillim të vitit 2013, kur CRCA i kërkoi zyrtarisht Ministrit të ri të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në atë kohë, që ky ligj të behëj realitet.
Ndërkohë, përgjatë dy viteve të fundit, CRCA dhe ANYN kanë punuar së bashku për t’u konsultuar me të rinjtë në 12 qarqe të vendit për të mbledhur një bazë të mirë të të dhënave dhe shqetësimeve, të cilat duhen adresuar nga ligji i ri për rininë.
Nisur edhe nga apatia e institucioneve, në Tetor 2017, CRCA dhe ANYN vendosën të inicionin dhe mbështesin procesin e hartimit të Ligjit për Rininë, duke organizuar takimin e parë konsultues me temë “Për një Ligj për Rininë në Shqipëri”. Ky takim, konkludoi me nevojën urgjente për hartimin e një Ligji për të Rinjtë në Shqipëri, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të politikave rinore ekzistuese, krijimin e një mekanizmi institucional të mbështetjes së të rinjve, dhe shpërndarjen e drejtë të shërbimeve vendore dhe kombëtare në dobi dhe për zhvillimin e të rinjve. Ndërsa në Qershor 2018, ANYN në bashkëpunim me CRCA Shqipëri, organizuan edhe takimin e dytë konsultues për të nxitur diskutimin e kësaj nisme të nevojshme Ligjore dhe caktimin e prioriteteve dhe çështjeve kyçe për të rinjtë, të cilat duhen adresuar nga ligji.
Gjatë ditës së sotme, në një tryezë të mbështetur vetëm nga komuniteti i donatorëve në Shqipëri, Ministria bëri të ditur se ka ngritur një grup pune për përgatitjen e projekt-ligjit të rinisë. Ndonëse organizatat rinore kanë kërkuar që të jenë pjesë e të gjithë procesit Ministria deri më tani nuk ka bërë asgjë publike, duke e veshur procesin që ata po fillojnë me një vello misteri të pashpjegueshëm. Në këtë takim CRCA kërkoi zyrtarisht edhe një herë që procesi që po mbështetet nga ministria duhet të jetë me të rinjtë, nga të rinjtë dhe për të rinjtë, për të garantuar suksesin e tij.
CRCA Shqipëri e sheh ligjin për rininë si një mundësi për të rritur mbështetjen dhe angazhimin e të rinjve, zhvillimin dhe përmbushjen e potencialit të tyre në dobi të shoqërisë. Ligji për Rininë do të përcaktojë kushtet kryesore në fushën e rinisë, siç është politika rinore dhe sektori i të rinjve, aktiviteti i të rinjve, puna rinore, edukimi joformal i të rinjve, si dhe një përkufizim i rinisë apo të rinjve.