Kuvendi i Shqipërisë së shpejti me një Rezolutë për të Rinjtë

Deputetët i premtojnë Rrjetit të të Rinjve mbështetjen e tyre për krijimin e një nën/komisioni parlamentar për të rinjtë

Tiranë, 18 Qershor 2018 – Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, u thirr në një seancë dëgjimore nga Komisionin Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, për të diskutuar mbi zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për të rinjtë 2015-2020 si dhe rreth situatës së të drejtave të tyre në vend. Në këtë seancë të pranishëm ishin dhe Zv/Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë z. Shpati Kolgega, si dhe drejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Rinisë znj. Lorena Haxhiu.

Përfaqësuesit e ANYN, ngritën zërin mbi të gjitha problemet e deritanishme që gjimnazistët dhe studentët në mbarë vendin kërkojnë të zgjidhin. Pasi i njohën parlamentarët shqiptarë mbi Draft-Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë për të Rinjtë, ANYN  kërkoi impenjimin maksimal prej tyre për miratimin e këtij dokumenti si të parin në këto 28 vite demokraci.

Ata kërkuan nga deputetët e komisionit, mbështetjen për ngritjen e një nën/komisioni të posaçëm për të rinjtë në Parlamentin e Shqipërisë. Në vendin tonë rreth 35% e popullsisë përbëhet nga të rinj të moshave 14-35 vjeç. Komisioni i Punës dhe Çështjeve Sociale premtoi se këtë kërkesë do ta përcjellë në Kryesinë e Kuvendit për krijimin e këtij nën/komisioni duke përfshirë këtu edhe 15 deputetët e rinj të Parlamentit.

ANYN, pasi informoi Komisionin Parlamentar mbi situatën me bazë ligjore dhe dokumentave rinor strategjikë përkatës që sanksionojnë të drejtën e Kartës Rinore për studentët dhe gjimnazistët, kërkoi publikisht nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë hapjen e menjëhershme të procesit të vendosjes në dispozicion të saj.

Përfaqësuesit e organizatave rinore sollën në komision gjithashtu problemin e një buxheti të ulët dhe të pamjaftueshëm për të rinjtë në Shqipëri. Buxheti aktual kap vlerën 0.01 % të buxhetit të Shtetit, vlerë kjo që duhet të rritet menjëherë për të parashikuar të gjitha aktivitetet e Planit Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë.

Në bazë të Raportit Alternativ të bërë nga ANYN mbi zbatueshmërinë e Planit Kombëtar të Veprimit, rezulton se vetëm 21% e masave dhe aktiviteteve të parashikuara për t’u zbatuar gjatë viteve 2015-2017 janë realizuar. Në shifra, nga 48 aktivitete, vetëm 10 prej tyre u zbatuan tërësisht.

Një theks mjaft i rëndësishëm u vu në këtë seancë edhe mbi mungesën e Zyrave të Këshillimit të Karrierës, si një domosdoshmëri për të rinjtë, po ashtu edhe mosegzistenca e një studimi të tregut të punës për të rinjtë. Në Universitetet Shqiptare ende mungojnë bibliotekat, laboratorët, nuk ka një infrastrukturë për të gjitha kategoritë e të rinjve. Ndërsa për Ligjin e Arsimit të Lartë, studentët kërkojnë rishikimin e tij dhe nxjerrjen e akteve normative.

Deputetët e Komisionit Parlamentar të Punës dhe Çështjeve Sociale e Shëndetësisë, premtuan për të gjitha organizatat e të rinjve dhe shoqërisë civile një pjesëmarrje më të madhe në të gjitha momentet e iniciativave ligjore, politikave rinore, si dhe problematikave të rishikuara për të rinjtë në vendin tonë.

Na Kontaktoni

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL