Tiranë, 27 Qershor 2018 – Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) sjell për herë të parë në vendin tonë një paketë të plotë të të gjitha prioriteteve të të rinjve, të cilat do të shërbejnë si bazw për përgatitjen e proejkt-Ligjit për Rininë në vend.
Për këtë qëllim, ANYN në bashkëpunim me CRCA Shqipëri, organizuan sot takimin e dytë konsultues për të nxitur diskutimin e kësaj nisme të nevojshme Ligjore dhe caktimin e prioriteteve dhe çështjeve kyçe për të rinjte, të cilat duhen adresuar nga ligji.
Të rinj e të reja nga mbi 50 organizata Rinore, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Bashkisë Tiranë dhe Aleancës të të Rinjve të Këshillit Bashkiak, diskutuan ndër të tjera për çështje si: punësimi, arsimimi, shërbimet shëndetësore, krijimi i kushteve për mbështetjen e të rinjve në vetë organizim, aktivizmi social, zhvillimi dhe përmbushja e potencialit të tyre etj.
Presidentja e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, Znj. Ervjola Osmanaj, theksoi se qëllimi i ANYN është që procesi i hartimit të Ligjit për Rininë, të udhëhiqet nga të rinjtë, të hartohet me të rinjtë dhe të përgatitet me të rinjtë në mbarë vendin!
Zv. Ministri i Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Z. Shpat Kolgega, duke përgëzuar nismën, premtoi se Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë - ANYN, do të jetë pjesë e procesit dhe gjatë muajit Korrik do të jetë periudha në të cilën ky ligj pasi të hartohet do t’i dërgohet të gjitha institucioneve ligjvënëse në Shqipëri.
Shqipëria është një ndër vendet e fundit në rajon që ende nuk e ka një ligj për rininë. ANYN dhe CRCA Shqipëri,që prej vitit 2017 e në vijim kanë nxitur Qeverinë për përgatitjen dhe miratimin e këtij ligji. Ne takime me deputetë, zyrtarë të Ministrive dhe organizatave rinore, janë evidentuar çështjet prioritare që duhen adresuar në ligj. Qëllimi i një ligji të tillë do të ishte përmirësimi i mëtejshëm i politikave rinore ekzistuese, krijimi i një mekanizmi institucional të mbështetjes së të rinjve, dhe shpërndarjen e drejtë të shërbimeve për zhvillimin e të rinjve.
Më shumë informacion, kontaktoni:
Ervjola Osmanaj
Presidente e ANYN
ervjola.osmanaj@crca.al