Nga sot nje rrjet kombetar per te rinjte ne Shqiperi

Tiranë, 22 Prill 2015 - Sot mbi 21 organizata të shoqërisë civile dhe 5 forume rinore politike vendosën krijimin e Rrjetit Kombëtar të të Rinjve në Shqipëri (Albanian National Youth Network). Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri do të jetë një organizatë ombrellë e organizatave rinore dhe atyre që punojnë për të rinjtë nga e gjithë Shqipëria, të cilat kanë aktivitet afatgjat dhe të konsoliduar, si në nivel lokal ashtu dhe në atë kombëtar për promovimin e çështjeve të të rinjve. Krijimi i RKRS bëhet në një moment kyç për fuqizimin dhe përfshirjen e të rinjve përgjatë zgjedhjeve vendore dhe politikave të reja për të rinjtë në nivel qendror. 

Qëllimi i Rrjetit është promovimi i të drejtave të të rinjve dhe çështjeve rinore, në nivel lokal dhe kombëtar, pavarësisht bindjeve politike, statusit ekonomik, social, orientimit seksual, identitetit gjinor, aftësive apo grupimeve, në të cilat ata bëjnë pjesë; rritja e angazhimit/përfaqësimit të të rinjve në të gjitha fazat e vendimmarrjes e hartimit të politikave për të rinjtë në nivel lokal dhe atë qëndror, si dhe nxitja e krijimit të politikave, ligjeve dhe programeve për mbështetjen e të rinjve në Shqipëri. 

Organizatat dhe forumet rinore themeluese të Rrjetit Kombëtar të të Rinjve në Shqipëri janë: Active Disabled People Albania (Organizata e Personave me Aftësi të Kufizuar në Shqipëri); Ambasada Pink; Shoqata Europiane e Studentëve të Inxhinierisë Elektrike - EESTEC; Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë; Komiteti Rinor Lezhë; Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri; Koalicioni për Nxitjen e Grave dhe të Rinjve në Politikë, ALO 116: Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmjët; La Casa Nel Coure; Qendra Rinore, Pukë; New Vision; Open Mind Spectrum Albania - OMSA; Organizata Rinia Studentore; Qendra Rinore PO , Tiranë / Qendra Rinore Aulona, Vlorë; Organizata USHTEN; Shpresë për të Ardhmen, Shkodër; Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri - CRCA; Qendra e Informacionit dhe Kërkimeve për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri; Qendra për Zhvillimin e Shoqërisë Civile, Durrës - CSDC; The International Association for the Exchange of Students for Technical Experience / IAESTE Albania; TAMAM Albania; Zëri i Romëve në Shqipëri; Youth Action (Të Rinjtë në Veprim) Korçë; Forumi Rinor i Aleancës Kuq e Zi; Forumi Rinor i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut; Forumi Rinor i Partisë së Frymës së Re Demokratike; Klubi i Patriotëve të Rinj; dhe Lëvizja Rinore për Integrim.

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri do të jetë i hapur për çdo organizatë apo forum që punon për të rinjtë në nivel lokal apo nivel kombëtar dhe që ka treguar me aksionet e tij që është i aftë të përfaqësojë dhe mbrojë me dinjitet kauzën e të rinjve. Ai do të nxisë partneritetin midis të zgjedhurve vendore, kuvendit dhe Qeverisë me organizatat e të rinjve, për të zgjidhur një serë problematikash që shqetësojnë të rinjtë anembanë vendit. Rrjeti do të ketë përfaqësitë e tij në të 12 qarqet e Shqipërisë dhe 61 Bashkitë e reja që do të krijohen, pas zgjedhjeve vendore te muajit qershor. 

Për më tepër informacion ju lutem kontaktoni: 

Klaudio Pulaha, e-mail: klaudio.pulaha@crca.al 

Na Kontaktoni

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL