Këshilli Bashkiak Tiranë krijon Bordin Rinor Këshillimor

NJOFTIM PËR SHTYP

Tiranë, 24 Tetor 2014 - Këshilli Bashkiak Tiranë dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut / CRCA Shqipëri në bashkëpunim me Lidershipin e të Rinjve të Tiranës, organizuan sot ceremoninë e nënshkrimit të aktit të themelimit të Bordit Rinor Këshillimor pranë Këshillit Bashkiak Tiranë. Ky akt u nënshkrua nga 33 organizata rinore, anëtare të rrjetit rinor ‘Lidershipi i të Rinjve të Tiranës’, të cilat do të jenë gjithashtu pjesë e këtij bordi.

Bordi Rinor Këshillimor do të funksionojë si një strukturë këshilluese nga të rinjtë për të rinjtë pranë Këshillit Bashkiak Tiranë dhe do të ketë për qëllim rritjen e përfaqësimit të të rinjve të Tiranës në nivel lokal në të gjitha fazat e vendimmarrjes e hartimit të politikave për të rinjtë.

Kryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Z. Aldrin Dalipi, në fjalën e tij e vuri theksin tek rëndësia e pjesmarrjes së të rinjve në hartimin e politikave për të rinjtë në nivel lokal pasi vetëm kështu zëri i komunitetit mund të dëgjohet. Ai propozoi që Borde të tilla rinore të shtrihen në të gjithë vendin.

Z. Altin Hazizaj, drejtor i HRH/CRCA Shqipëri, u përqëndrua në rëndësinë e ngritjes së Bordit Rinor Këshillimor si një mekanizëm e model pozitiv i cili i jep shtysë pjesmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Përfaqësuesja e Rrjetit Rinor ‘Lidershipi i të Rinjve të Tiranës’, znj. Aspasjana Kërxhalli në fjalën e saj theksoi mënyrat sesi interesat e të rinjve mund të adresohen në qeverisjen lokale dhe u shpreh se Bordi Rinor Këshillimor duhet të jetë pjesë e këshillimit të vazhdueshëm për çështje të ndryshme që prekin të rinjtë.

Krijimi i këtij Bordi është një sukses i lëvizjes rinore në Tiranë, pas shumë nismave lobuese e advokuese. Është hera e parë që Këshilli Bashkiak Tiranë, një organ i zgjedhur vendor, krijon një hapësirë të demokracisë dhe pjesmarrjes rinore. Këshilli në bashkëpunim me Lidershipin e të Rinjve të Tiranës, kanë vendosur që së bashku të ndërtojnë një eksperiencë të re të pjesmarrjes rinore, e cila mund të shërbejë si një model pozitiv për qeverisjen vendore dhe atë qëndrore.

Ky aktivitet u ndoq nga më shumë se 60 pjesmarrës, përfaqësues të organizatave rinore, organizatave të tjera të shoqërisë civile në vend, institucioneve vendore, agjensive të huaja në vend sikurse edhe nga media.

Na Kontaktoni

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL