NË DITËN E “FJONGOS BLU” NJË MARATONË ONLINE KUNDËR DHUNËS DHE SHFRYTËZIMIT SEKSUAL TË FËMIJËVE NË SHQIPËRI

CRCA/ECPAT Shqipëri, Barnahus Albania, ANYN dhe Lëvizja Kombëtare #NEJEMI1, nisur edhe nga situata e Covid-19, vendosën organizimin e një maratone online për ndërgjegjësimin e sa më shumë fëmijëve, adoleshentëve dhe prindërve për të raportuar çdo formë e ngacmim të dhunës e shfrytëzimit seksual

Tiranë, 19 Nëntor 2020 – CRCA/ECPAT Shqipëri, Barnahus Albania, ANYN dhe Lëvizja Kombëtare #NEJEMI1 përzgjodhën një mënyrë të veçantë për të ngritur zërin kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri. Së bashku me Presidentin e Republikës, nën-Kryetaren e Kuvendit, Ministra, Ambasadorë dhe aktivistë të shoqërisë civile në Shqipëri, në Ditën Ndërkombëtare për Parandalimin e Abuzimit të Fëmijëve, krijuan një maratonë virtuale për të përcjellë moton e fushatës kombëtare “DHUNA SEKSUALE NUK PYET PËR MOSHË APO GJINI: RAPORTOJE!”.

Për shkak të situatës së pandemisë, maratona zhvillohet në dy forma të gërshetuara, tw gjithw folësit iu bashkuan fushatës në Sheshin Skënderbej, ndërsa pjesëmarrësit e ndoqën atë live në lidhjen online të CRCA në Facebook dhe Microsoft Teams. Përgjatë maratonës virtuale pati lidhje direkte me Kuvendin e Shqipërisë dhe me ministra e Ambasadorë të huaj në vendin tonë, të cilët përzgjodhën dhënien e mesazheve ndërgjegjësuese.

Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, i cili i bashkohet për herë të dytë Fushatës Kombëtare kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve, pas fjalës së tij, dhuroi edhe të parën “Fjongo BLU”, si një simbol i misionit dhe luftës që duhet të ndërmarrë çdo qytetar për mbrojtjen e fëmijëve.  

Maratona organizohet në kuadër të Ditës Europiane dhe asaj Ndërkombëtare për Parandalimin e Abuzimit të Fëmijëve. Qëllimi i saj është ndërgjegjësimi i shoqërisë, Qeverisë, Kuvendit, prindërve dhe fëmijëve, mbi dhunën seksuale dhe njëkohësisht kërkon të nxisë reagimin publik kundër këtij fenomeni, duke përforcuar mesazhin se dhuna seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve është e papranueshme dhe është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut!

Vetëm një ditë më parë, një prej emrave më të njohur të Operas, Ermonela Jaho, përqafoi këtë mision, duke u shpallur Ambasadore e CRCA/EPAT Shqipëri kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve. CRCA Shqipëri punon që prej 24 vjetwsh në punën dhe angazhimet e saj kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.

Studimet tregojnë se 1 në 10 fëmijë në vendin tonë ka përjetuar dhunë seksuale, dhe vetëm gjatë këtij viti janë raportuar në polici mbi 60 raste të fëmijëve që e kanë denoncuar atë. Thuajse të gjitha viktimat janë vajza. Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë vlerësohet se deri në 1 miliard fëmijë të moshës 2–17 vjeç, kanë përjetuar dhunë ose neglizhencë fizike, seksuale ose emocionale gjatë vitit të kaluar.

 

Na Kontaktoni

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL