Ermonela Jaho nga sot Ambasadore kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve!

Sopranoja me famë botërore, në një video të bërë publike në Shqip dhe Anglisht, njoftoi të gjithë fansat dhe ndjekësit e saj kudo në botë, angazhimin e saj më të ri, në krah të CRCA/ECPAT Shqipëri, për të luftuar së bashku kundër dhunës e shfrytëzimit seksual të fëmijëve

Tiranë, 18 Nëntor 2020 - Ermonela Jaho, një ndër sopranot më të vlerësuara në botë, njoftoi sot se ka pranuar që të jetë Ambasadore e CRCA/ECPAT Shqipëri në luftën kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Vetë ylli i operas, e njohur tashmë në të gjithë botën për interpretimin e saj të jashtëzakonshëm, ka përzgjedhur t’a bëjë publik lajmin nëpërmjet një video-mesazhi në gjuhen Shqipe dhe Angleze, drejtuar jo vetëm fansave e ndjekësve të saj, por edhe të gjithë komunitetit shqip-folës kudo në botë. Këtë video-mesazh e gjeni në linkun bashkangjitur https://youtu.be/Crz0Mfg9zD4.

Sopranoja në këtë mesazh thekson se: “Dhunuesit në mënyrë çnjerëzore po rrëmbejnë çiltërsinë dhe brishtësinë e fëmijëve të dhunuar, por ata nuk do të arrijnë KURRË ti bëjnë ata të heshtin! Të bëhemi ZËRI i atyre që nuk kanë zë për të folur dhe për të treguar!”- nënvizon Ermonela Jaho, duke ftuar të gjithë të bashkohen në luftën kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Ermonela Jaho është Ambasadorja e Parë që CRCA, Barnahus Shqipëri dhe Lëvizja Kombëtare #NEJEMI1 kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve, shpallën në ditën e parë të hapjes së aktiviteteve në kuadër të Ditës Europiane dhe Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Fëmijëve, që kremtohen në Europë dhe në Botë, në datat 18 dhe 19 Nëntor.

Shpallja e saj Ambasadore përkon me rritjen e tejskajshme të rasteve të dhunës dhe shfrytëzimit të vajzave për qëllime seksuale kudo në Shqipëri, duke e kthyer këtë çështje në një ndër më thelbësoret për jetën dhe mbrojtjen e fëmijëve.  Barnahus Shqipëri vetëm në dy vitet e fundit ka shpëtuar nga kthetrat e pedofilëve 30 fëmijë dhe adoleshentë nga e gjithë Shqipëria.

E cilësuar si “interpretuesja operistike më e vlerësuar në botë”, Jaho do të angazhohet në ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe adoleshentëve, prindërve, nënave e baballarëve, për të folur hapur dhe raportuar pa frikë çdo ngjarje të dhunës, ngacmimit apo shfrytëzimit seksual.

Dhuna seksuale është një cënim i rëndë i të drejtave të fëmijëve. Vetëm brenda një viti, Shqipëria numëron mbi 60 raportime të fëmijëve të dhunuar apo shfrytëzuar seksualisht. Statistikat e OBSH-së tregojnë se deri në 1 miliard fëmijë të moshës 2–17 vjeç, kanë përjetuar dhunë ose neglizhencë fizike, seksuale ose emocionale gjatë vitit të kaluar. 

 

Për më shumë informacion, kontaktoni:

E-mail: crca@crca.al

 

Na Kontaktoni

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL