DEKLARATË!

Qeveria dhe policia e shtetit të respektojnë të drejtën e qytetarëve për tubime paqësore!

Prej disa ditësh tashmë po zhvillohen protesta paqësore në qytetet kryesore të vendit, gjatë të cilave qytetarët i kërkojnë qeverisë të marrë masa për uljen e taksave mbi karburantet dhe të sigurojë subvencione për ngritjen e menjëhershme të çmimeve për produktet e shportës. Kemi parë me shqetësim ndërhyrje jo proporcionale të forcave të policisë së shtetit, efektivë të maskuar apo të veshur civilë jo rrallë herë kanë përdorur dhunë në shoqërimin e mbi 200 protestuesve, 50 nga të cilët janë arrestuar ndërsa për rreth 150 të tjerët janë hapur procedime penale dhe janë shpallur në kërkim.

E drejta për tubim paqësor është një e drejtë themelore e njeriut, që u mundëson individëve të shprehen kolektivisht dhe të marrin pjesë në ndryshimin dhe formësimin e shoqërisë. Kjo e drejtë përbën gjithashtu themelin e një sistemi qeverisjeje me pjesëmarrje të bazuar në demokraci, të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës dhe pluralizmin. Si e tillë, kjo e drejtë duhet respektuar, pavarësisht opinioneve që mund të shprehë kushdo për këto protesta.

Respektimi i ligjit është faktor kyç në shtetet demokratike për funksionimin normal të institucioneve të shtetit. Madje, një nga detyrat kryesore të qeverisë në kohë krizash, është t’i mbrojë shtetasit e vet nga pasojat e tyre, duke u sjellë me përgjegjshmëri në menaxhimin e punëve dhe të burimeve publike.

Pasojat e krizës së rritjes së çmimeve, i ndjejnë më së shumti shtresa e varfër e vendit, si dhe shtetasit që i përkasin grupeve më vulnerabël të shoqërisë. Sa më sipër, i bëjmë thirrje strukturave të Policisë së Shtetit, të mos ushtrojnë dhunë dhe represion ndaj protestuesve, si dhe të ndalojnë intimidimet e tyre nëpërmjet akuzave si ajo “për grumbullim të paligjshëm”, të cilat po hidhen poshtë rast pas rasti në Gjykatë, bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjit për të drejtën e tubimit. Represioni i ushtruar ndaj qytetarëve apo medias së lirë, vetëm do t’i përkeqësojë gjasat për të marrë në konsideratë dialogun për të gjetur zgjidhje demokratike për çështjet e ngritura nga protestuesit.

 

Lista e organizatave të shoqërisë civile nënshkruese:

Citizens Channel

Civil Rights Defenders

Community Reporters Albania

Exit.al

Instituti ALTRI

Këshilli Shqiptar i Medias

Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome

Open Data,Shqipëri

Open Mind Spectrum Albania

Organizata “Drejtesi Sociale”

Qendra “Res Publika”

Qendra për Advokim Social Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri

Qendra TREJA

Shërbimi Ligjor Falas Tiranë

Na Kontaktoni

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL