
Tiranë, Mars 2022 – Nga sot, të gjithë qytetarët, organizatat apo edhe partitë politike, që jetojnë e punojnë në Tiranë, nuk e kanë më të nevojshme të kërkojnë dhe pajisjen me lejen e Bashkisë Tiranë për të manifestuar apo tubuar paqësisht. Gjykata Administrative e Apelit në kryeqytyet, pasi mori në shqyrtim padinë e ngritur nga Klinika Ligjore e CRCA/ECPAT Shqipëri kundër vendimit të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, vendosi që të gjejë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e vendit, një pjesë të këtij vendimi, që rregullonte tubimet dhe manifestimet paqësore.
CRCA/ECPAT Shqipëri iu drejtua një vit më parë Gjykatës Administrative të Apelit, me një padi ndaj Bashkisë Tiranë dhe Këshillit Bashkiak për shkelje serioze të të drejtave të njeriut, pasi kjo e fundit, në vitin 2018 miratoi një vendim i cili thuajse eleminonte tërësisht ushtrimin e të drejtës kushtetuese të protestës paqësore, duke kërkuar leje dhe përcaktuar rregulla të reja, të cilat nuk janë të bazuara në ligj. Një vendim ky që jo vetëm shkelte Kushtetutën e Shqipërisë dhe Ligjin për Tubimet të cilat garantojnë lirinë e mbledhjes dhe tubimeve paqësore, por edhe që kërkonte që OSHC-të apo edhe qytetarët e thejshtë të merrnin leje nga Bashkia Tiranë për të organizuar tubime apo manifestime paqësore.
Në Nëntor 2018, Këshilli Bashkiak i Tiranës, si organi vendimmarrës i Bashkisë Tiranë, miratoi Vendimin Nr. 130, të datës 15.11.2018 “Për miratimin e rregullores “për kushtet dhe rregullat e zënies së hapësirës publike në bashkinë e Tiranës,” icili në Kreun VI të tij, rregullonte “Zënia e hapësirave publike për zhvillimin e aktiviteteve promovuese, artistike, kulturore, manifestimeve politike e të tjera”.
Akti i Këshillit Bashkiak Tiranë kufizoi dhe vështirësoi jo pak veprimtarinë e qytetarëve dhe të organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri. Më dt.7 Shkurt 2022, Gjykata Administrative e Apelit, shpalli të pavlefshëm kërkesën e Këshillit Bashkiak Tiranë duke i dhënë të drejtë ligjërisht kërkesës së CRCA/ECPAT dhe FLA Shqipëri mbi organizimin e tubimeve dhe manifestimeve paqësore vetëm duke njoftuar Policinë e Shtetit, sipas kërkesave të Ligjit për Tubimet.
Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj theksoi pas këtij vendimi se: “Ndjehemi vërtetë krenarë që arritëm të sigurojmë një vendim kaq të drejtë jo vetëm për ne por për të gjithë ata që kanë të drejtën legjitime për të tubuar dhe manifestuar. Ishte totalisht e papranueshme mënyra dhe qasja që ndoqi Këshilli Bashkiak i kryeqytetit për të kufizuar të drejtat bazë të njeriut në Tiranë për gjithë këto vjet. Tirana është qytet i lirisë.”
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Zyra Ligjore për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri (FLA)
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: fla@crca.al