
Tiranë, 5 Nëntor 2019 - CRCA/ECPAT Shqipëri, i drejtoi sot një letër të hapur publike, Presidentit të Shqipërisë, për t’i kërkuar mos-dekretimin e Ligjit “Për Rininë” pasi ai është në kundërshim të hapur me të drejtat e njeriut të mbrojtura nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë.
Në datë 4 Nëntor 2019, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 79 vota projekt-ligjin “Për Rininë”, duke ia dërguar atë Presidentit për dekretim. CRCA/ECPAT Shqipëri, si e vetmja organizatë e shoqërisë civile e specializuar në fushën e ligjeve dhe të të drejtave të të rinjve, e ka ndjekur me shqetësim dhe analizuar publikisht të gjithë procesin e diskutimit dhe miratimit të projektligjit. Referuar neneve të projektligjit “Për Rininë”, shqetësimi ynë qëndron në këto aspekte:
- Nëse lejohet që Ligji “Për Rininë” të hyjë në fuqi, ai vendos përfundimisht nën diktatin e Qeverisë, Ministrit të Arsimit dhe Kryetarëve të Bashkive mbi 681,548 të rinj e të reja të moshës 15-29 vjeç në Shqipëri, që supozohet që përfitojnë nga ky ligj! Duke ditur faktin që si pushteti ekzekutiv qendror dhe ai vendor kontrollohet tërësisht nga një parti e vetme politike, automatikisht kjo i vendos të gjithë të rinjtë nën kontrollin e Partisë Socialiste, gjë që është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, e cila garanton që e drejta e organizimit, e drejta e shprehjes, e fjalës dhe e pjesëmarrjes, janë jashtë kontrollit të partive politike apo edhe Qeverisë;
- Ligji është në kundërshtim të hapur me të drejtat e njeriut, të mbrojtura dhe të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë, si dhe aktet kryesore të OKB-së dhe të Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut. Ai vendos në mënyrë të jashtëligjshme kompetenca, të cilat duhet t’i kenë në kontroll vetë të rinjtë, në duart e Kryetarëve të Bashkive dhetë Ministrit përgjegjës për Rininë.
- Ligji ka mungesë serioze të “check and balances” ndërmjet autoriteteve publike, të drejtave dhe përgjegjësive që ato gëzojnë, si dhe të rinjve, që janë përfitues dhe llogari-kërkues përkundrejt institucioneve që punojnë për ta. Në gjendjen aktuale ligji nuk krijon asnjë mundësi që të rinjtë të kërkojnë llogari nga institucionet për shkak se Ministri përkatës dhe Kryetarët e Bashkive, duke zgjedhur sipas dëshirës organizatat me të cilat duan të punojnë, si dhe financimin e tyre, do ta kenë tepër të thjeshtë të manipulojnë qëndrimet e të rinjve. Nga ana tjetër ligji nuk ka asnjë mekanizëm të kontrollit sesi përzgjidhen organizatat, kujt organizate i jepen fondet, dhe kush kërkon llogari për këtë proces, pasi ligji ia le të gjithë procesin në dorë personave më role politike dhe jo atyre që janë të zgjedhur!
- Nuk krijon asnjë strukturë dhe mekanizëm institucional, lokal apo kombëtar që do të lehtësonte punën për rininë dhe llogari-dhënien e zyrtarëve publikë përkundrejt të rinjve. Ai gjithashtu në asnjë nen të tij, nuk garanton të drejtën për punësim me dinjitet të të rinjve. Sipas MAPS Report rreth 30% e të rinjve në vendin tonë, nuk janë as të punësuar, as të arsimuar dhe as të trajnuar.
- Shfaq mangësi themelore përsa i përket edhe përputhjes së tij me aktet e Këshillit të Europës për të Rinjtë dhe me Aquis të Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria prej kohësh aspiron të hapë bisedimet e antarësisë me BE-në.
CRCA/ECPAT Shqipëri, shpreson se Presidenti i Republikës do ta kthejë mbrapsht për rishqyrtim Ligjin “Për Rininë”, duke mos lejuar kështu shkeljen masive të drejtave të mbi 23% të popullësisë në Shqipëri, që përbëhet nga të rinjtë dhe të rejat.


