Hapet procesi i nominimeve për Vlerësimin Kombëtar “TË RINJTË E VITIT 2018 NË SHQIPËRI”

Të rinjtë do të konkurojnë me nismat e tyre për avokim, vullnetarizëm dhe kontribut për përmirësimmin e jetës dhe situatës të të rinjve në Shqipëri

Tiranë, 6 Nëntor 2018 – Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) në bashkëpunim me Koalicionin për Arsimin në Shqipëri (ACE) dhe Qendrën për të Drejtat e fëmijëve (CRCA) Shqipëri, hapin sot fazën e aplikimeve për Nominime për Vlerësimin Kombëtar “Të Rinjtë e Vitit 2018 në Shqipëri”.

Nisma “Të Rinjtë e Vitit”, e cila iniciohet për të katërtin vit rradhazi në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë (8 Dhjetor),  synon të identifikojë dhe vlerësojë publikisht të rinj e të reja të moshës 15-29 vjeç nga e gjithë Shqipëria, që japin kontribut dhe sjellin ndryshime në jetën e të rinjve dhe grupeve të tjera shoqërore. Gjatë vitit 2017, për shkaqe objektive, Vlerësimi “Të Rinjtë e Vitit” nuk u dha dhe për këtë qëllim, në vitin 2018, organizatorët e riformatuan të gjithë konceptin e Vlerësimit, duke e bazuar atë në formatin e suksesshëm të Vlerësimit Kombëtar “Mësuesi i Vitit”.

ANYN, ACE dhe CRCA ftojnë të rinjtë dhe të rejat, organizatat Rinore dhe studentore, organizatat e shoqërisë civile, partnerët tanë dhe të gjithë individët e interesuar, që të nominojnë në faqen www.anyn.al/VLERESO-RININE, të rinj nga e gjithë Shqipëria, në tre kategoritë kryesore:

  • I riu / e reja e Vitit 2018 për avokimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut;
  • I riu / e reja e Vitit 2018 për nxitjen e pjesmarrjes në vendim-marrje / vullnetarizmit të të rinjve;
  • I riu / e reja e Vitit 2018 për krijimin e modeleve apo shërbimeve Rinore

Vlerësimi kërkon që vetë të rinjtë të identifikojnë se cilët janë individët që më së miri përgjatë vitit 2018 kanë sjellë një ndryshim të matshëm në shoqërinë dhe komunitetet ku ata jetojnë, në shkollat dhe universitetet ku ata studiojnë apo vendin e tyre punës. Ata mund të jenë drejtues të organizatave rinore; të rinj që frymëzojnë me vullnetarizmin e tyre të rinjtë e tjerë; të rinj, nismat e të cilëve, kanë fuqizuar rininë dhe komunitetet ku ata jetojnë, sidomos ato më të margjinalizuara; të rinj që kanë nxitur krijimin e lëvizjeve lokale apo kombëtare për mbrojtjen e mjedisit, kafshëve, fëmijëve, të rinjve, grave apo të moshuarve.

Nominimet do të jenë të hapura nga data 6 Nëntor-20 Nëntor 2018. Mbas datës 20 Nëntor do të shpallen finalistët e Vlerësimit, ndërmjet të cilëve do të zgjidhen edhe tre të rinjtë nga një Juri e përbërë nga figura të njohura dhe me eksperiencë të gjatë në fushën e shoqërisë civile dhe më gjerë.

Çdo APLIKANT/E DUHET Të KRIJOJË PROFILIN E TIJ/SAJ duke ndjekur instruksionet në faqen www.anyn.al/VLERESO-RININE

Për më tepër informacion kontaktoni në adresën:  info@anyn.al

Na Kontaktoni

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL